Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe për largimin e masave ndëshkuese, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë padrejtësisht qytetarët e vendit.

“Theksova nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke i cilësuar ato si veprime që minojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Të dërguarit të BE-së i shpreha shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, si dhe për ndikimin negativ që këto veprime kanë në përpjekjet për paqe dhe stabilitet”, shtoi ai.

Kryetari i PDK-së gjithashtu ka theksuar rëndësinë e themelimit të institucioneve të reja dhe legjitime pas zgjedhjeve të parakohshme, si një parakusht për kthimin e besimit të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit.

“Vetëm atëherë, procesi i dialogut mund dhe duhet të marrë drejtimin e duhur, përmes një qasjeje të drejtë, të koordinuar dhe me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare”, u shpreh ai.

Në fund të deklaratës, Krasniqi konfirmoi se PDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës, reformave demokratike dhe vlerave euroatlantike, duke shprehur mirënjohje për rolin e BE-së në këtë proces.