“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, shkruan Mustafa.

Ai ka theksuar se shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të Presidentit Ibrahim Rugova dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët”, deklaron Mustafa.

Duke kujtuar kohën kur Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, ai tha se të gjithë besonin në drejtësinë ndërkombëtare.

“Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe”, tha ai.

Sipas Mustafës, ishte e paimagjinueshme që figurat kryesore të luftës dhe proceseve politike të pasluftës të cilësoheshin si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

“Askujt s’do t’i shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë… do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, shkruan ai.

Në fund, Mustafa u shpreh se nëse do të kishte shëndet të plotë, do të ishte fizikisht i pranishëm në protestën e 7 gushtit.

“Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, përfundon postimi i Mustafës.