“Bëhet fjalë për tri organe shtetërore të Serbisë, të cilat me veprimtarinë e tyre kriminale kanë kryer krime dhe gjenocid mbi popullin tonë. Andaj për ne është tepër e prapranueshme sesi bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast Gjykata Speciale, ka pranuar këto prova, sepse ata po i legjitimojnë këto tri institucione, duke pasur parasysh faktin që tre krerët e këtyre institucioneve janë gjykuar e dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare në Ish-Jugosllavi. Ky është edhe një motiv shtesë për protestë”, ka thënë Gazmend Syla gjatë konferencës.

Ai ka njoftuar se Hysni Gucati, kreu i OVL – UÇK, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, profesoresha kroate Nevenka Tromp, si dhe personalitete të tjera, do të jenë folësit e protestës.

“Ju ftoj të gjithë qytetarët që bashkëndjejnë me ata bashkëluftëtarë, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, të jenë pjesë e kësaj proteste”, ka thënë ai.

Nesër nga ora 17:00, OVL-UÇK-ja dhe organizatat e tjera të dala nga lufta do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vijueshmërinë e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore, me kërkesat e mëposhtme: Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale; Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues; Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së” thuhet në një prej njoftimeve të organizatës.