Ai ka thënë se “Prishtina bashkohet nesër për drejtësi dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës!”.

“Kosova është më shumë se një shtet, është amaneti i gjakut të dëshmorëve, i plagëve të luftëtarëve dhe i rezistencës së popullit tonë. Është historia e një populli që nuk u gjunjëzua, që zgjodhi të luftojë për liri, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet. Vlerat e luftës së UÇK-së janë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Pa ato sakrifica, pa atë qëndresë dhe pa atë heroizëm, nuk do të kishim as flamur, as shtet, as liri. Ndaj, mirënjohja për ata që dhanë gjithçka nuk është zgjedhje, është obligim kombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.

Rama ka shkruar se “kjo liri që gëzojmë sot ka emër: sakrificë”. “Dhe ka drejtim: drejt një të ardhmeje me dinjitet, drejtësi dhe unitet. Duke nderuar të kaluarën, duke kujtuar çdo kontribut dhe duke qëndruar të bashkuar në parimet e drejtësisë dhe lirisë, mund të ecim përpara si shtet dhe si shoqëri.

“Si kryetar i kryeqytetit kam ndërmarrë hapa konkretë për ta institucionalizuar përkujdesjen ndaj kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Për herë të parë brenda kabinetit tim është krijuar një sektor i posaçëm për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, që udhëhiqet nga Sylë Vitia, veteran i UÇK-së dhe që çdo ditë institucionalisht mbron të drejtat dhe përfaqëson zërin e atyre që sollën lirinë”, shtoi ai.

“Qytetarë të nderuar, respekti për luftën nuk është fjalë. Është përgjegjësi dhe vepër”, ka thënë ai.

Ai, ndër të tjera, ka thënë se “nesër secili prej nesh duhet të ngrihet për ta mbrojtur me zë, dinjitet dhe përkushtim qytetar”. “Ne si kryeqytet, nesër më 7 gusht, në mbështetje të protestës, jemi përkujdesur që: Transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët. Parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët e protestuesve.

Prishtina ju mirëpret! Prishtina është krenare, sa herë prej këtu ngrihen zëra për drejtësi, për bashkim, për vlera. Jemi bashkë këtu në këtë shesh siç kemi qenë në çdo periudhë të errët dhe të ndritshme të historisë sonë. Bashkë për drejtësi. Bashkë për liri. Bashkë për të vërtetën tonë!”, ka shkruar “>Rama.