Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.
Departamenti i Shtetit ka njoftuar se Sekretari Rubio i ka komunikuar Gjuriqit rëndësinë e de-përshkallëzimit të situatës me Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me ministrin e Jashtëm serb Marko Gjuriq. Ata ranë dakord që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të zhvillojnë një dialog strategjik dypalësh më vonë këtë vit për të thelluar lidhjet ekonomike dhe të sigurisë. Ata diskutuan gjithashtu rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe në Bosnjë e Hercegovinë, për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të përgatitur terrenin për rritje ekonomike dhe prosperitet. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie të dobishme reciprokisht me Serbinë, që i shërben qytetarëve tanë dhe interesave tona”, thuhet në komunikatë.
Gjatë ditës për takimin Rubio ka shkruar në platformën “X”, ku ka shprehur përkushtimin për marrëdhënie të mira mes dy vendeve.