Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Gjykatën Kushtetuese.
“As Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë” ka shkruar ajo në Facebook.
Bajrami për Haxhiun tha se “Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend”.
Tutje ajo shtoi se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe që sipas saj deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LVV-së.
“Për më tepër, qeveria e LVV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin”, ka shkruar ndër të tjera Bajrami.
Sipas saj LVV dhe Vjosa Osmani po e don Gjykatën Kushtetuese pa kuorum.
“Veç na tregoni pse? Se kjo veç Kosovës nuk i shkon për shtati. Në fund, sa i përket njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kujt po i shisni përralla, oj zonjë?”, ka thënë ajo.
“Votimi i fshehtë 48 herë është refuzuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit. Ndërsa ju vetë, zonja Haxhiu, keni dështuar 6 herë në votim të hapur dhe 48 herë në votim të fshehtë. Vota jonë kundër komisionit për votim të fshehtë ka qenë votë kundër komisionit, votë kundër votimit të fshehtë dhe votë kundër jush për kryetare të Kuvendit”, ka shtuar ajo.