Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar për vrasjen e tre qytetarëve në komunën që ai udhëheq.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet e të vrarëve, ndërsa ka thënë se do të bashkëpunohet ngushtë me të gjitha institucionet që autori i krimit të sillet para drejtësisë.
“Me dhimbje të thellë dhe tronditje të madhe mora lajmin për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në qytetin tonë, ku tre qytetarë humbën jetën dhe një tjetër u plagos si pasojë e të shtënave me armë zjarri”, ka shkruar Hyseni.
Ndër të tjera ai ka thënë se ky akt i dhunshëm dhe i papranueshëm është një plagë e rëndë për komunitetin gjilanas.
“Ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë, që autori i këtij krimi të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Gjilani është qytet i paqes dhe bashkëjetesës, dhe ne nuk do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar si komunitet”, ka përfunduar ai.