Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është në kërkim të tre personave të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur mesditën e sotme në Gjilan. Në kërkim janë Mefail Shkodra, 53 vjeç, si dhe djemtë e tij, Edonis Shkodra, 25 vjeç, dhe Engjull Shkodra, 22 vjeç.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, në një konferencë për media, bëri të ditur se ndaj tyre është lëshuar urdhër për kërkim policor dhe është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar. Ai theksoi se policia ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast, ndërsa janë kontrolluar tri lokacione ku dyshohej se mund të fshiheshin.
Një person i katërt është arrestuar në vendngjarje dhe po hetohet për mundësinë e përfshirjes në këtë rast.
Sipas Rukiqit, nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të vdekur tre persona, ndërsa një tjetër është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë.
Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, ka një precedent penal me mbi 30 vepra të regjistruara, përfshirë sulm, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ai shtoi se hetimet janë në fazë të hershme dhe ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.
Për motivet e rastit, prokurori Rukiqi ka thënë se është ende herët të flitet, pasi sipas tij në ditët në vijim do të merren në pyetje të dëmtuarit, e më pastaj do të mund të ketë më shumë qartësi.