Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka ngritur një sërë pyetjesh në lidhje me vendimet dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese gjatë viteve të fundit, duke përmendur emra konkretë të ish-zyrtarëve dhe gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Në një postim në rrjete sociale, Rexhaj ka rikujtuar rastin e gjyqtarit Radomir Llaban, i cili, sipas tij, është dënuar për vepër penale dhe është kërkuar nga INTERPOL-i, duke qenë më herët edhe këshilltar në Gjykatën Kushtetuese para se të emërohej gjyqtar. Ai ka pyetur pse drejtuesit e atëhershëm të gjykatës, përfshirë ish-kryetarin prof. Enver Hasani, nuk e kanë ndaluar këtë emërim.
“Kjo a do të thotë se prof. Enver Hasani e ka propozuar e shtyrë përpara Radomir Llabanin për gjyqtar në Gjykatë? Po për vizita jashtë vendit si ia kanë bërë për t’i ikur listës së INTERPOL-it? A thua Enver Hasani e ka futur në makinë zyrtare apo të shoferit të tij e me katër sinjalizuesit ndezur kanë kaluar kufirin pa kontrolla? Apo Llabani kurrë nuk ka dalë jashtë vendit? Është interesant t’i shohim dokumentet financiare për mëditjet jashtë vendit të kësaj Gjykate. A ka dorë prof.Enver Hasani në zgjedhjen e Llabanit dhe Gresa Cakës në Gjykatë Kushtetuese dhe cili ishte roli i tij? Po Gresa Caka çfarë lidhje familjare ka me ish-shefen e kabinetit të prof. Enver Hasanit? A është e vërtetë që Gresa dhe Vesa janë motra, njëra gjyqtare e tjetra shefe kabineti të prof.Enver Hasanit?”, ka shtruar si pyetje Rexhaj në një postim në Facebook.
Ai ka shtuar se “shumë besojnë” që asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk merret pa u lexuar paraprakisht nga Hasani dhe Caka, edhe pse ata nuk janë më në krye të saj.
“A është e vërtetë ajo që flitet që sa ishte prof.Enveri kryetar i Kushtetueses e ka aksidentuar veturën zyrtare, kurse Gresa ia ka mbuluar dëmin duke ia mveshur shoferit të tij? Po gjyqtarja tjetër Remzija çfarë lidhje familjare ka me Enver Hasanin? A është Remzija tezake e prof.Enver Hasanit dhe kush është burri i saj me mbiemër Peci a Boletini? Po ky gjyqtari tjetër Safeti, Safet Hoxha, ish- kryetari i degës së PDK-së në Suharekë, sa orë kalon në zyrë e sa në nëndegën e Dardanisë, pra në zyrën e PDK-së në Pejton”, ka nënvizuar në këtë postim Rexhaj.