Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar institucionet publike dhe private t’i zbatojnë masat mbrojtëse për punëtorët pas rritjes së temperaturave. Rekomandimi vlen nga 11 deri më 15 gusht.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit të MSH-së kërkohet që të shmanget puna në ambient të jashtëm nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Kurse kërkohet që gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në orën 16:00, nëse nuk është e mundur që ato të punojnë nga shtëpia, të përshtaten oraret e punës herët në mëngjes apo pasdite dhe nëse s’ka ajrosje të mjaftueshme dhe pika freskimi në vendet e punës.
Po ashtu thuhet se personat me sëmundje kronike është udhëzuar të punojnë me orar të shkurtuar, maksimalisht 4 orë në ditë. Është kërkuar që për të punësuarit të përshtaten oraret e punës herët në mëngjes apo mbrëmje.
MSH-ja tutje ka rekomanduar qytetarët të shmanget qëndrimi jashtë në kulmin e nxehtësisë, të konsumohet sa më tepër ujë dhe të shmangen pijet e gazuara. Po ashtu është rekomanduar përdorimi i kapelës dhe syve të diellit. Prindërve u është rekomanduar të mos i lënë fëmijët vetëm në veturë.
Ministria fton të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme.