AME/MPB ka njoftuar se gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 72 vatra zjarri në vend. Nga to, 11 vatra vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 vatra janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse.
Menaxhimi i situatës po zhvillohet në koordinim të ngushtë me Njësitë e Zjarrfikjes, Qendrat Operative 112 dhe Policinë e Kosovës.
AME thotë se situata më e rënduar është paraqitur në komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë, ku në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe drejtori Ekzekutiv, i cili ka ndjekur nga afër situatën. Në këtë rast është bërë kërkesë për angazhim të KFOR-it, për të ndërhyrë nga ajri për shuarjen e zjarrit.
AME/MPB shpreh mirënjohje për përkushtimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it, Komunave dhe Qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës.