Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan ka filluar implementimin e planit operativ “Motoçiklisti i rrezikshëm” ku ka konfiskuar 20 motoçikleta dhe ka shqiptuar gjoba ndaj ngasësve të tyre
Sipas policisë, ky plan ka për qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e motoçiklistëve që me sjelljet e tyre rrezikojnë sigurinë në trafik dhe zhvillojnë aktivitete shqetësuese për qetësinë publike, veçanërisht në orët e natës.
Policia në Gjilan gjatë kontrollave në komunikacion vetëm gjatë kësaj javë ka konfiskuar 20 motoçikleta dhe ka shqiptuar gjoba ndaj ngasësve të tyre, ka proceduar gjobë ndaj shtatë drejtuesve për mos-mbajtje të helmetës si dhe ka shqiptuar tri gjoba ndaj ngasësve pa regjistrim të rregullt.
“Plani do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, duke u përqendruar në zona urbane dhe rurale.Synimi kryesor është rritja e sigurisë në komunikacion dhe minimizimi i aksidenteve të mundshme”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek qytetarët që të raportojnë çdo rast të ngasjes së motoçikletës në mënyrë të rrezikshme, në mënyrë që të bëjmë ambientin rrugor më të sigurt për të gjithë.