Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në një takim përfaqësues politikë dhe institucionalë nga Lugina e Preshevës.
Në takim morën pjesë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e përgjithshme në Luginën e Preshevës dhe përballjen e shqiptarëve me politika diskriminuese dhe shtypëse nga autoritetet serbe. Palët adresuan gjithashtu sfidat me të cilat përballen shqiptarët në rajonin e Sanxhakut, me theks të veçantë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar mbështetjen ndaj shqiptarëve në Luginë dhe Sanxhak, jo vetëm përmes promovimit të kulturës dhe identitetit kombëtar, por edhe përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë për projekte dhe programe që i përgjigjen nevojave të komunitetit shqiptar në këto rajone.
“Mbështetja për shqiptarët në Serbi nuk është vetëm një nevojë, por një domosdoshmëri,” u shpreh Bislimi, duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe përkushtimit të përbashkët për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Serbi.