Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vizituar ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë ku po përballet me gjykimin nga Dhomat e Specializuara.
Pas vizitës, Çitaku ka ndarë përshtypjet e saj në një deklaratë publike, duke thënë se Thaçi mbetet i fortë shpirtërisht dhe me moral të lartë, pavarësisht situatës që po kalon. Sipas saj, ai tregoi interes për shokët dhe qëndron me “kokën lart, shpirtin e pathyer dhe sytë që nuk i shmangen askujt dhe asgjëje”.
“Për mua, kjo nuk është as habi e as surprizë. Sepse ata nuk janë të rëndomtë. Të rëndomtit nuk e kalojnë kufirin në këmbë me vetëm një çantë mbi supe dhe një ideal në zemër”, shkroi Çitaku.
Ajo theksoi se liria për ish-krerët e UÇK-së nuk ka qenë fjalë, por gjak dhe përpjekje e palodhshme, duke shtuar se ata ndërtuan shtet nga hiçi dhe vazhdojnë të japin sakrifica edhe sot.
“Edhe këtu, në Hagë, asnjëri prej tyre nuk sillet me mentalitetin e viktimës. Përkundrazi, qëndrojnë si burrat që janë: me vetëdije të pastër dhe krenarë, duke u përballur me sfidën e fundit po aq dinjitetshëm sa me betejat e para”, theksoi ajo.