Policia e Kosovës ka njoftuar se katër persona janë raportuar si të zhdukur në 24 orët e fundit në rajone të ndryshme të vendit. Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga njësitë hetimore përkatëse, në bashkëpunim me prokurorinë.
Siç ka njoftuar policia në raportin 24-orësh, një burrë nga Zhegra e Gjilanit ka raportuar se vajza e tij është zhdukur dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Pas raportimit, në koordinim me prokurorin, është iniciuar rasti dhe hetimet janë në zhvillim.
Ndërsa në Ferizaj një burrë ka informuar se vëllai i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është hapur si “person i zhdukur” dhe është duke u hetuar nga policia.
Një tjetër rast është raportuar edhe në Nashec të Prizrenit, ku ankuesi ka bërë të ditur se nipi dhe mbesa e tij janë larguar nga shtëpia dhe nuk janë kthyer. Sipas informacioneve fillestare, personat në fjalë janë të njohur për përsëritje të veprave penale (recidivistë), ndërsa hetimet janë në proces.