Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka ngritur alarmin lidhur me vazhdimin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, duke e cilësuar këtë proces si një formë të pastër të spastrimit etnik.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Lutfiu bëri të ditur se nga janari deri në korrik të vitit 2025 janë pasivizuar gjithsej 200 adresa në komunat Preshevë dhe Bujanoc.
Sipas tij, këto të dhëna janë marrë zyrtarisht nga stacionet policore në Preshevë dhe Bujanoc, pas një kërkese që ai ka bërë më 4 gusht 2025.
“Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, shkruan Lutfiu.
Ai shpreh dyshime për saktësinë e shifrave në Bujanoc, duke thënë se është në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar situatën e vërtetë në terren.
“Ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik”, thekson ai në postimin e tij. una.
Lutfiu i bën thirrje të gjithë aktorëve politikë shqiptarë që të bashkohen dhe të koordinohen për të vepruar ndaj këtij fenomeni, që po e prek popullsinë shqiptare në Serbi.
Shqiptarët në Luginë janë ankuar vazhdimisht për pasivizimin e adresave dhe kanë protestuar për këtë çështje.
Pasivizimi i adresave është një praktikë administrative e autoriteteve serbe përmes së cilës qytetarëve u hiqet adresa e banimit nga regjistrat civilë. Kjo nënkupton humbjen e të drejtës për të votuar, për të përfituar nga shërbimet publike, si dhe për të qenë zyrtarisht rezident në vendin ku realisht jeton.