KFOR ka njoftuar se një kontingjent i forcave rezervë të NATO-s ka nisur vendosjen e përkohshme në Kosovë për zhvillimin e një sërë aktivitetesh stërvitore me njësitë e KFOR-it.
Sipas njoftimit, kontingjenti i parë i “Scots Guards” – regjiment këmbësorie e lehtë e mekanizuar nga Mbretëria e Bashkuar – ka mbërritur tashmë në Kosovë dhe do të qëndrojë përkohësisht për qëllime trajnimi.
Ky aktivitet, që zhvillohet rregullisht, sipas njoftimit, ka për qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale të KFOR-it dhe aftësinë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj zhvillimeve të sigurisë.
KFOR thekson se kjo veprimtari realizohet në përputhje me mandatin afatgjatë të dhënë nga Kombet e Bashkuara, me misionin për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX)