Partitë politike në Prishtinë kanë publikuar listat e kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunalë, të cilat janë dorëzuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Partitë kanë shpalosur ekipet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 12 tetorit dhe përmes të cilave synojnë të marrin besimin për të udhëhequr me kryeqytetin.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka publikuar listën e kandidatëve për asamblistë në Prishtinë, teksa e ka quajtur atë si ‘Lista për Prishtinën tonë’. Ai ka thënë se kjo listë përfshin njerëz nga fusha të ndryshme.
“Lista e fitores për Prishtinë përfshin profesionistë, punëtorë, ndërmarrës, të rinj, gra dhe aktivistë. Me bartëse të listës një grua dhe me 48% gra gjithsej, lista nuk përmbush vetëm formalisht detyrimin, por në bosht të saj ka barazinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
E kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se lista e këtij subjekti politik është e përbërë me qytetarë aktiv nga çdo lagje e Prishtinës që i njohin problemet e qytetit dhe e kanë vullnetin të bashkëpunojnë për ta bërë Prishtinën një qytet që funksionon.
“Prishtina ka nevojë për njerëz që nuk rrinë anas! Koha për Prishtinën”, ka shkruar Ismaili.
Me moton “Prishtina Përtej”, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka prezantuar listën e kandidatëve të saj për Kuvendin e Komunës së Prishtinës.
“Ky është ekipi me vizion, dije e energji për ta çuar Prishtinën “Përtej” të zakonshmes!”, ka shkruar Përparim Rama, i cili garon për një tjetër mandat në krye të kryeqytetit.
Ndërkohë, Partia Guxo me moton “Guxo për Prishtinën” ka prezantuar listën e saj me 51 kandidatë për Kuvendin Komunal, përfshirë 25 gra dhe 26 burra, të cilës i prin Jeta Statovci.
“Kam nderin të prezantoj dhe t’i prijë listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prishtinës, nga Partia Guxo. Në listë gjenden profile të jashtëzakonshme, 25 gra e 26 burra. Nuk gaboj të them, se është lista më e freskët këto zgjedhje, me profile doktorësh, arkitektësh, ekonomistësh, profesorë e artistë. Prishtina ka një mundësi kreative, na priftë e mbara”, ka shkruar Statovci në Facebook.
Entuziaste me ekipin e saj për Prishtinën është shprehur edhe kandidatja e Partisë Social Demokrate, Besa Shahini, e cila do të konkurrojë për kreun e komunës.
“Njerëz që e njohin dhe e ndjejnë këtë qytet, aktivistë të kahmotshëm që mbrojnë të drejtën për të jetuar këtu, aktivistë të rinj që duan të përmirësojnë lagjet e tyre, profesionistë nga fushat më të rëndësishme për jetën e përditshme në qytet”, ka thënë ajo rreth listës së 50 kandidatëve të PSD-së për asamblistë në kryeqytet.
E në zgjedhjet e 12 qershorit në kryeqytet do të garojë edhe lista e qytetarëve “Lidhja e Prishtinës” e drejtuar nga Fehmi Kupina, ish-kryesues i Kuvendit të Komunës.
“Kjo është lista fituese e Lidhjes së Prishtinës. Një listë përplot profesionalizëm, përvojë e shërbim ndaj komunitetit. Një listë ku mbizotëron uniteti dhe harmonia, me një renditje të realizuar përmes shortit për të siguruar trajtim të barabartë”, ka shkruar ai.
Listën e kandidatëve për asamblistë e ka publikuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila për kryetar të komunës do të garojë me Bekë Berishën.