Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë eurosh për Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas AGK-së, “nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.”
AGK thekson se ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit të krizës financiare, dhe i përgëzon ata “për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar”.
Siç theksohet në reagim, AGK ka kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës dhe partia në pushtet, Vetëvendosje, që “të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.”
Në fund, AGK ka bërë thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, “që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën.”