Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me të kaluarën e Mefail Shkodrës, i cili së bashku me dy djemtë e tij është në kërkim nga Policia e Kosovës për vrasjen e trefishtë të ndodhur ditë më parë në Gjilan.
“Duke marrë shkas nga raportimet lidhur me të kaluarën penale të dyshuarit Mefail Shkodra, njoftojmë opinionin publik se për të njëjtin në Prokurorinë Themelore në Gjilan nga Policia e Kosovës nga viti 2000 janë pranuar gjithsej 5 raste penale, në 4 raste janë ngritur aktakuza sipas lëndëve PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014, PP.I.154/17 dhe në lëndën PP.II.913/2023 është zgjidhur në procedurë të ndërmjetësimit. Sa i përket të dyshuarve Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra, ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Gjilan, nuk ka pasur asnjë rast të proceduar, në cilësinë e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ky institucion tutje ka thënë se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe policinë për çfarëdo informate që do të ndihmonte në hetimin e suksesshëm dhe vënien e kryesve të vrasjes së trefishtë para drejtësisë.