Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për realizimin e katër projekteve të rëndësishme rrugore nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në komunën e Vitisë.
“Rruga alternative për Stubëll, nga rruga Anton Çeta deri te rruga Sejdiu, është njëri nga katër projektet që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i ka realizuar ose po i realizon në komunën e Vitisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas Kurtit, projektet e tjera rrugore në komunën e Vitisë përfshijnë Rrugën Viti – Korbliç – Kaçanik, rrugën Mjak dhe Debelldeh dhe rrugën e Vërnakollës.
Vlera e investimit për këtë rrugë është 822,858 euro, ndërsa vlera totale e investimeve në infrastrukturë rrugore në komunën e Vitisë, nga MMPHI, gjatë këtij mandati qeverisës, është mbi 8 milionë euro.
Ai ka vlerësuar se rruga alternative për Stubëll e bën më të lehtë dhe më të sigurt qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth, por edhe të vizitorëve të shumtë që vijnë në Stubëll për shkak të vlerës historike e kulturore që ka ky fshat, ku gjendet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore.