Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila ka urdhëruar kompaninë KEDS të nisë shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.

Sipas Dhomës, këto biznese nuk janë pajtuar me kushtet që i kanë konsideruar të papranueshme dhe të dëmshme, ndërkohë që një pjesë tjetër ka bërë marrëveshje të përkohshme ose është në pritje të vendimeve të gjykatave dhe formimit të institucioneve të reja të vendit – Kuvendit dhe Qeverisë.

“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm po rrit çmimet e konsumit për dy milionë qytetarë dhe po rrezikon largimin nga puna të së paku 22 mijë punëtorëve,” thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas tyre, pasoja të rënda ekonomike dhe sociale janë të pashmangshme nëse nuk ndalet menjëherë kjo praktikë.

“Pasojat do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim i mëtejmë i qytetarëve,” thekson Dhoma.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i bën thirrje institucioneve të vendit që të ndërhyjnë urgjentisht për ta ndalur këtë “proces të dhunshëm dhe të padrejtë”, që sipas saj, rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë së Kosovës.