Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të themeluar Task Forcë për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, për të vlerësuar dobësitë energjetike dhe për të propozuar zgjidhje lokale, e për të ofruar lehtësime tatimore të përkohshme dhe grante emergjente për bizneset më të prekura nga tranzicioni.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë thirrje për Qeverinë që t’u japë kohë të mjaftueshme bizneseve për t’u përshtatur dhe për të siguruar kontrata të drejta.
Në deklaratë thuhet se, ndonëse reforma në tregun e energjisë mund të jetë e domosdoshme për qëndrueshmëri afatgjatë, mënyra dhe ritmi i zbatimit aktual po vendosin një barrë të padrejtë mbi ekonominë lokale, në veçanti mbi sektorin privat që përbën shtyllën kurrizore të zhvillimit ekonomik.
Rama i ka bere thirrje Qeverisë Qendrore përfshijnë zbatimin e një faze kalimtare për të mundësuar përshtatjen e bizneseve, pezullimin e kërcënimeve për shkëputje, deri në krijimin e një kornize të qartë mbështetëse dhe fillimin e një dialogu të hapur me udhëheqësit komunalë, odat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve.
Në të njëjtën kohë, Prishtina do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të themeluar një Task Forcë për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, për të vlerësuar dobësitë energjetike dhe për të propozuar zgjidhje locale, eksploruar bashkëpunime energjetike komunale dhe nisma për energji të ripërtëritshme për të ulur varësinë nga tregjet e paqëndrueshme si dhe per te ofruar lehtësime tatimore të përkohshme dhe grante emergjente për bizneset më të prekura nga tranzicioni.
“Prishtina nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa bizneset tona rrezikojnë të mbyllen. Apelojmë për unitet, transparencë dhe ndjeshmëri në përballimin e këtij momenti kritik,” përfundon deklarata.