I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka thënë të dielën se lideri rus, Vladimir Putin është pajtuar në samitin e zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump që ta lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën, që i ngjajnë mandatit të mbrojtjes kolektive të NATO-s, në kuadër të një marrëveshjeje eventuale për përfundim të luftës.

 

“Kemi arritur të fitojmë këtë koncesion, që SHBA-ja të ofrojë mbrojtje të modelit të Artikullit 5, i cili është ndër arsyet kryesore pse Ukraina dëshiron të jetë pjesë e NATO-s”, ka thënë ai për rrjetin televiziv amerikan CNN.

Neni 5 i NATO-s është themeli i aleancës që parasheh se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të saj do të konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Witkoff ka thënë se kjo është hera e parë që ka dëgjuar se Putini është pajtuar me diçka të tillë.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë në një konferencë të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se mirëpret “gatishmërinë e Trumpit të kontribuojë në garanci të sigurisë për Ukrainën, të llojit të Artikullit 5”. Ajo ka thënë se BE-ja është e gatshme ta kryejë pjesën e vet në këtë drejtim.

Witkoff, duke ofruar disa prej hollësive të para të asaj se çfarë është diskutuar në samitin e së premtes në Alaskë, ka thënë se dy palët janë pajtuar për “garanci të sigurisë, çka unë do ta përshkruaja si revolucionare”.

Sipas tij, Rusia ka thënë se do të bëjë zotime ligjore që të mos synojë territor shtesë në Ukrainë.

Zelensky i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për sinjalet e fundit, që Uashingtoni është i gatshëm t’i mbështesë garancitë e sigurisë për Ukrainën, por që shumë hollësi mbesin të paqarta.

“Është shumë e rëndësishme që Amerika të punojë me Evropën dhe të ofrojë garanci të sigurisë për Ukrainën”, ka deklaruar ai.

“Mirëpo, nuk kemi hollësi si do të funksionojë gjithçka dhe çfarë roli do të ketë Amerika, çfarë roli do të ketë Evropa dhe çfarë mund të bëjë BE-ja. Kjo është detyra jonë kryesore, duhet të sigurohemi që garancitë e llojit të Artikullit 5 të NATO-s të funksionojnë dhe e konsiderojmë anëtarësimin në BE pjesë të këtyre garancive të sigurisë”.

Witkoff e ka mbrojtur vendimin e Trumpit për të hequr dorë nga kërkesa ndaj Rusisë për armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se presidenti është drejtuar kah marrëveshja për paqe, sepse është arritur përparim i madh.

“I kemi mbuluar pothuajse të gjitha çështjet e nevojshme për marrëveshje për paqe”, ka thënë Witkoff, pa dhënë më shumë hollësi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka insistuar se do të ketë “pasoja shtesë” siç ka paralajmëruar edhe Trumpi para takimit me Putinin, nëse nuk arrihet armëpushimi.

Mirëpo, Rubio e ka përmendur se nuk synohej arritja e ndonjë marrëveshje për armëpushim, meqë Ukraina nuk ishte pjesë e bisedimeve.

“Në fund të fundit, nëse nuk do të ketë marrëveshje për paqe, nëse nuk përfundon lufta, presidenti ka qenë i qartë, do të ketë pasoja”, ka thënë Rubio për rrjetin televiziv ABC.

“Por, ne po përpiqemi që ta shmangim këtë. Mënyra se si po tentojmë t’i shmangim pasojat është me një pasojë tjetër, që është paqja, për dhënie fund të armiqësive”.

Ai ka thënë se bota nuk është “në prag të arritjes së një marrëveshjeje për paqe” sepse arritja deri aty nuk është e lehtë dhe merr shumë kohë.

“Ne kemi bërë përparim në aspektin që i kemi identifikuar fushat potenciale të marrëveshjes, mirëpo ende ka hapësirë të madhe për mospajtim. Ende jemi shumë larg”, ka thënë mes tjerash Rubio.

Pas takimit me Putinin, Trump e pret të hënën Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën është konfirmuar se Zelenskyn do ta shoqërojnë edhe udhëheqësit kryesorë evropianë, për t’i diskutuar hapat e radhës drejt arritjes së paqes.

Ukraina dhe liderët evropianë kanë thënë se strategjia e Putinit që favorizon negociatat e gjata drejt një marrëveshjeje të plotë dhe refuzimi i një armëpushimi të shpejtë, i mundëson liderit rus të blejë kohë për ta ashpërsuar ofensivën në fushëbetejë.