Në një deklaratë për media të hënën, pasi mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Kurti tha se çdo vendim i Kushtetueses është respektuar gjatë qeverisjes së tij, por pyetja e përsëritur se a do ta respektojë këtë aktgjykim lë të kuptojë, sipas tij, se ai mund të jetë “pazakonshëm i padrejtë dhe i padurueshëm”.

“Nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilin qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, që unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kam respektuar. Por kur më pyesni sërish a do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj se do të jetë pazakonshëm i padrejtë e i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.

Ai kujtoi se më 26 qershor Gjykata Kushtetuese kishte publikuar në të njëjtën ditë njoftimin dhe aktgjykimin e plotë, ndërsa më 8 gusht, është bërë vetëm njoftimi, derisa publikimi i aktgjykimit të plotë po vonohet.

“Edhe një herë po e ritheksoj se ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa aktgjykimi i plotë po vonohet. Kur ta lexojmë atë, do ta themi vlerësimin tonë meritor, por nuk është mirë që e kemi këtë vonesë. Në bazë të njoftimit, për bindjen time ka mospërputhje midis këtij aktgjykimi që ende po e presim në versionin e plotë dhe atij të 26 qershorit nga e njëjta përbërje e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Kurti.