Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së, Qeveria e Kosovës në detyrë dhe Ministria e Financave shpërndarje të menjëhershme të pagave mujore dhe informacion mbi procesin e transferimit. Në kërkesën e saj, sindikata thekson se vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët dhe vetë institucionin.
“Vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së dhe vetë institucionin tonë. Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme”, thuhet në kërkesën zyrtare të sindikatës.
SPERTK paralajmëron se nëse pagat nuk shpërndahen deri të premten, protesta dhe format ligjore të bojkotit të punës do të fillojnë të hënën në orën 09:30.
“Presim përgjigje të qartë dhe shpërndarje të menjëhershme të pagave për punëtorët e RTK-së. Në të kundërt, do të jemi të detyruar t’i kthehemi formave ligjore që na i lejon ligji për organizimin sindikal”, theksohet tutje.
Kryesia e sindikatës rikujton gjithashtu se protesta e paralajmëruar u anulua në shenjë mirëbesimi, duke theksuar se qëllimi i tyre mbetet mbrojtja e punëtorëve dhe RTK-së.