Pas reagimeve për shkyçjen e disa bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dalë me një komunikatë për media, duke sqaruar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një detyrim ligjor dhe evropian, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që nga viti 2016.
“Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat Evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike”, thuhet në deklaratë.
ZRRE thekson se ky proces derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. “Nga viti 2017, ZRRE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial”, thuhet më tej.
Megjithatë, sipas ZRrE-së, zbatimi i mëtutjeshëm i këtij procesi ka pasur vonesa për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme. “Si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare”, procesi u shty, por ZRRE ka vendosur që “nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor”.
Institucioni nënvizon rëndësinë e reformës. “Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, theksohet në njoftim.
Sipas të dhënave zyrtare, “ZRRE ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike. Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët”.
Në lidhje me ndërmarrjet ekonomike, ZRRE sqaron se “9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale; ndërsa 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues”.
ZRrE siguron se edhe konsumatorët që kanë mbetur pa furnizues nuk janë lënë pa energji. “Edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”.
Për të lehtësuar këtë proces, “ZRRE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetë (60) ditore”.
Ndërsa, sipas ligjit, “konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta”.
ZRRE thekson se do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe “inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”.
“ZRRE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane”, përfundon deklarata.