Time Kadrijaj nga AAK ka thënë se LVV po propozon kandidatë që sërish nuk e sigurojnë shumicën parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kjo seancë është dashur të fillojë me kërkimfalje, për shkak se e kanë shkelur Kushtetutën Dehari dhe LVV. Ju e patë se nuk kishte as ndjesë e as keqardhje që për 6 muaj po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo, pas dështimit të 55-të të seancës konstituive.
Kadrijaj ka thënë se VV ka propozuar Donika Gërvallën, duke e quajtur “njeri që nuk e ka përkrahjen e partive opozitare”.
“Do ta shihni në vazhdim që do të propozojnë figura të tilla që nuk e kanë përkrahjen e partive opozitare dhe të deputetëve veç e veç, përveç deputetëve që janë bashkë me LVV. Ne kemi ofruar alternativa, edhe pse e ka theksuar Kushtetuesja se ne s’e kemi obligim të votojmë kandidat”, ka thënë ajo.
“Aktgjykimi i Kushtetueses tash dhe ai i mëparshmi kanë thënë se kanë vepruar jashtëligjshëm”, ka deklaruar Kadrijaj.