Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në disa komuna të Kosovës janë raportuar raste të ndryshme të dhunës në familje.

Në Denas, një burrë ka njoftuar se është kanosur me largim nga shtëpia nga bashkëshortja e tij, ndërsa pas intervistimit nga prokurori, palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, një mashkull është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërkohë që në një rast tjetër, një person ka raportuar se është fyer dhe kanosur nga vëllai i tij, por i dyshuari është liruar pas intervistimit.

Gjilani raportoi arrestimin e një personi që dyshohet për sulm fizik ndaj vajzës së tij, e cila ka pranuar trajtim mjekësor.

Në Godanc të Epërm të Shtimes, një burrë është arrestuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa në Klinë një tjetër është arrestuar për dhunë psikike ndaj dy vajzave të tij, njëra prej të cilave e mitur.

Në Pejë janë raportuar dy raste të ndryshme, në të parin, një grua ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, i cili është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt; në rastin tjetër, dy meshkuj janë arrestuar pasi dyshohen se kanë sulmuar fizikisht një familjar, i cili gjithashtu ka pranuar trajtim mjekësor.

Në Rahovec, një grua ka raportuar se është sulmuar nga personi me të cilin bashkëjetonte, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.