Donika Gërvalla ka thënë se partitë opozitare janë duke bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës qëllimshëm dhe nuk e kanë në mënyrë specifike me emra të përveçëm për kryetar të institucionit.
“Bllokimi s’lidhet me emra të përveçëm, lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re. Frika e opozitës nga qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur gjatë ditëve, javëve e muajve të fundit”, ka thënë ajo, pas dështimit të 56-të të seancës konstituive.
Ajo ka akuzuar partitë opozitare shqiptare bashkë me Listën Serbe që kanë synime për zhbërjen e Republikës së Kosovës, teksa ka folur për mosvotimin e kandidaturës së saj në herën e kaluar nga deputetja e LVV-së, Shqipe Selimi.
“Zonja Selimi i merr vendimet e saj, ajo s’ka marrë pjesë në votim, në dallim me disa të tjerë të cilët nuk është pritur të bashkohen me Listën Serbe dhe me PDK për të votuar kundër meje. Megjithatë, ai është vendim personal i Selimit dhe s’kam asnjë arsye e të drejtë ta komentoj”, ka thënë ajo.