Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre në procesin demokratik.
Kurti, ka përcjellë një mesazh drejtuar diasporës kosovare në prag të zgjedhjeve lokale, duke theksuar rolin e rëndësishëm që mërgata ka pasur dhe vazhdon të ketë në proceset zgjedhore të vendit.
“Tani, me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat anembanë Kosovës shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes sonë të mirë”, u shpreh Kurti në mesazhin e tij.
Ai theksoi se afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit skadon më 29 gusht, duke i nxitur qytetarët të mos e shtyjnë këtë proces.
“Mos e lini për nesër, regjistrohuni tani. Me votën tuaj, komunat do të kenë njerëz të ndershëm e të përkushtuar që punojnë për qytetarët, duke larguar nga pushteti klanet dhe ata që i shohin komunat si pronë private”, theksoi ai.