Bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet Lj. M, i cili sipas informacioneve operative kishte hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës.

Ai dyshohet se ka marrë pjesë aktive në ngjarjet e dhunshme të datës 29 maj 2023, ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës para objektit të komunës në Zveçan.

Me t’u informuar Prokuroria Speciale, në koordinim me këtë institucion janë ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e tij, për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi që i dyshuari punon dhe jeton në Serbi, si dhe për të parandaluar manipulimin apo zhdukjen e provave.

Arrestimi i tij është bërë në komunën e Zveçanit, ndërsa me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, është kryer edhe kontroll në shtëpinë e tij.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë një telefon, dy USB, disa uniforma ushtarake dhe një bluzë me mbishkrim nacionalist, që dyshohet se është përdorur ditën e incidentit.

I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit dhe përkthyesit, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat, “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.