Një person ka humbur jetën në një fshat të komunës së Prishtinës, në rajonin e Gollakut, si pasojë e lëndimeve të marra pasi u godit nga një trung druri.
Vdekjen e 31-vjeçarit (L.G.) e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
“Rreth orës 17:00, policia ka pranuar informatën për një person të lënduar rëndë, dyshohet si pasojë e rënies së një trungu druri. Personi i lënduar, L.G., mashkull, 31 vjeç, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor. Njësitet policore, në koordinim me prokurorinë, po zhvillojnë hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.