Në një mesazh të ndjerë ngushëllimi, Kurti ka vlerësuar lart figurën e Zhejit, duke e cilësuar atë si një zë të rrallë në hapësirën mediatike shqiptare dhe një përfaqësues të denjë të mendimit të lirë dhe angazhimit qytetar.

“Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive, është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji – fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë ka kujtuar edhe rrënjët e forta familjare të Zhejit në botën e kulturës dhe mendimit shqiptar.

“I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, Besa Imami. Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon”, është shprehur ai.

Në reagimin e tij, Kurti ka nënvizuar kontributin e Zhejit në periudha të vështira për shqiptarët, kur fjala e lirë dhe angazhimi intelektual kishin ndikim të jashtëzakonshëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar.

“Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë dhe të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri”,ka shkruar ai.

Në fund të mesazhit, Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan kontributin e Artur Zhejit.