Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, janë trajtuar disa raste të ndara në qytete të ndryshme të vendit, ku janë përfshirë si gra ashtu edhe burra, shumica prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa disa janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Në Prishtinë, janë raportuar tri raste të dhunës familjare, në njërin rast janë përleshur dy gra pas një mosmarrëveshjeje, duke refuzuar trajtimin mjekësor. Në rastin tjetër, një burrë dhe një grua janë përleshur fizikisht pas një debati verbal dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ndërsa në rastin e tretë, një burrë ka sulmuar dhe kërcënuar dy gra, të cilat kanë pranuar trajtim mjekësor.

Në të gjitha këto raste, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Edhe në Kamenicë është raportuar një rast dhune, ku një burrë ka sulmuar fizikisht një grua. I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar në qendrën e mbajtjes.

Në Pejë janë regjistruar disa raste, një grua ka raportuar se është sulmuar nga një burrë dhe ka pësuar lëndime trupore, ndërsa në një rast tjetër një burrë ka dëmtuar veturën dhe pronën e një qytetari tjetër. Të dyshuarit në këto raste janë liruar në procedurë të rregullt.

Po në Pejë, një burrë ka raportuar se një person që ndodhet jashtë Kosovës po e kërcënon vazhdimisht përmes rrjeteve sociale, dhe rasti është nën hetim.

Një rast më i rëndë është raportuar në Rahovec, ku një burrë, nën ndikimin e alkoolit, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 25 fishekë – armë për të cilën kishte leje. I dyshuari është ndaluar në qendrën e mbajtjes me aktvendim të prokurorit kujdestar.

Ndërkohë, në Vushtrri janë arrestuar tre burra pas një përleshjeje fizike mes tyre, ku njëri prej tyre ka kërkuar tretman mjekësor. Edhe këta janë liruar në procedurë të rregullt.