Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Lj.M., me dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra të rënda penale.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet për këto vepra “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se gjatë hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, janë sekuestruar prova materiale përfshirë një telefon, uniforma ushtarake, dy USB dhe një maicë me mbishkrime nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rastit dhe në ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në veprime të paligjshme që cenojnë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.