Të pranishmit kujtuan me nderim sakrificën dhe veprën heroike të pjesëtarëve të kësaj brigade, që dhanë jetën për lirinë e vendit. 25 gushti mbetet një datë simbolike që përmbledh trimërinë, lavdinë dhe dhimbjen që malet e Berishës përjetuan gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pranishëm ishte edhe ish-komandanti i UÇK-së dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili ka theksuar se kjo ditë është vendtakim i të gjallëve me ata që ranë për liri dhe një kujtesë e përhershme për sakrificën e tyre.

“Brigada 121 ‘Ismet Jashari – Kumanova’ ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës sonë çlirimtare. Ne kemi obligim moral e kombëtar të kujtojmë dhe nderojmë dëshmorët dhe të përçojmë brezave të rinj vlerat për të cilat ata u flijua”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Nga pjesëmarrësit u vendosën kurora lulesh dhe u mbajtën momente nderimi për të rënët, në një atmosferë të përshkuar nga kujtimi, respekti dhe mirënjohja e thellë për dëshmorët e kombit.