Vuçiq ka theksuar se në takim ishte i hapur dhe u përqendrua në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën me ndërmjetësimin e BE-së, si dhe në sfidat me të cilat përballemi kur bëhet fjalë për pozicionin e popullit serb në Kosovë.

“Theksova se është thelbësore që dialogu të kthehet te parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar, para së gjithash, te detyrimi për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të qytetarëve tanë në Kosovë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, përpjekja për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme edhe një herë konfirmon se respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të veprimit politik të serbëve në Kosovë është i rrezikuar.

“Politika jonë është politikë paqeje, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe në luftën e vendosur dhe të përgjegjshme për ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare. Vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, përgjegjësisë së qartë dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura mund të flasim për stabilitet të vërtetë për të gjithë rajonin”, ka theksuar Vuçiq.