Sipas njoftimit nga Kryeministria, në takim, u diskutua për mundësitë e avancimit të degëve të studimit, me synim që Universiteti i Prishtinës të tërheqë edhe më shumë studentë në vitet e ardhshme.

“Po ashtu, u diskutua për nevojat dhe planet për investimet në infrastrukturë dhe modernizimin e programeve studimore, si dhe për sfidat e ndryshme me të cilat po përballet universiteti publik. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se qeveria është përherë e gatshme të ofrojë mbështetje të plotë institucionale për adresimin e nevojave dhe sfidave të UP-së, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës si themel të arsimit të lartë dhe zhvillimit shoqëror në vend”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, ministrja në detyrë Arbërie Nagavci theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme të cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, teksa siguroi se MASHTI do të jetë partner i përhershëm i universitetit në përmirësimin e kushteve për studentët dhe stafin akademik.

Takimi u mbajt dy javë para fillimit të vitit të ri akademik dhe u vlerësua si bashkëbisedim i rëndësishëm drejt përgatitjeve për këtë vitit të ri akademik.