(E plotësur, 10:41) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një konferencë për media në prag të vazhdimit të seancës konstituive, ka thënë se nuk është hera e parë që ai dhe Lëvizja Vetëvendosje sulmohen me, siç ka thënë, të pavërteta.
“Nuk është hera e parë që, si Dimal Basha e si Lëvizje, jemi të sulmuar me të pavërteta nga qarqe të caktuara. Është jashtëzakonisht e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur dhe prandaj ndiej përgjegjësinë që të sqaroj për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje”, tha Basha.
Ai tha se në vitin 2012, në kohën kur ka qenë student, sikurse dhe plotë studentë të tjerë ka dorëzuar punimet për publikim. Asokohe, theksoi ai, ka bërë hulumtim për çështjen e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore por ka pasur në fokus Kosovën.
“Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë e asnjë fjali nga kapitujt tjerë”, tha Basha.
Ai tha se akuzat për lidhjet e tij me raportet e Dick Martit janë të ulëta, derisa shtoi se në një artikull që kishte publikuar më 2010, i kishte bërë thirrje diplomacisë për të intervenuar ndaj këtij raporti, ngase, shtoi ai, kjo neglizhencë do të na kushtojë shtrenjtë.
Tutje ai tha se lufta e UÇK-së dhe sakrifica e popullit tonë për liri është e shenjtë.
“Unë, Dimal Basha, si kryetar i Kuvendit, e kam të shenjtë luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Unë i përkulem secilit që ka kontribuar në luftë e në paqe. Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare e kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet as edhe një përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.
Kryeparlamentari Basha mban konferencë për media