Pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet e 11 majit, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka votuar me 3 vota pro dhe 2 kundër duke certifikuar shpërndarjen e mandateve parlamentare në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

 

Vendimi i së enjtes i hap rrugën Presidentit të Republikës që të dekretojë datën për nisjen e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Shqipërisë brenda 10 ditëve nga mbyllja e Kuvendit të vjetër.

Në Parlamentin e ri, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 mandate, Partia Demokratike me 50 mandate, Partia Socialdemokrate me 3 mandate, Mundësia e Agron Shehajt me 2 mandate dhe me nga një mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Certifikimi i rezultatit erdhi pas debateve mes palëve, pasi nga ana e opozitës u ngrit çështja e dorëheqjes së disa kandidatëve për deputetë dhe mungesa e vijimësisë së vendimmarrjes nga ana e KQZ-së.

Dy anëtarë kërkuan që të mos certifikohej rezultati nisur nga problematikat që janë evidentuar për sa i përket votës së diasporës, sipas tyre. Ndërsa PD-ja e cilësoi farsë procesin dhe kërkoi moscertifikimin e rezultateve, PS e konsideroi si të ndershëm dhe akuzoi opozitën se endet në një rreth vicioz.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin garë e lirë dhe demokratike, por një operacion i mirëplanifikuar manipulimi i kryer hapur në sytë e botës. Prandaj në emër të Partisë Demokratike unë kërkoj zyrtarisht që Komisioni Rregullator të mos miratojë, të mos certifikojë rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve,” u shpreh përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri.

“Pretendimet janë hedhur poshtë nga organet që njihen në Kushtetutë dhe në ligj, siç është KAS-i, Kolegji Zgjedhor. Për sa kohë ne jemi njerëz të ligjit, mendoj që duhet të kemi pak respekt ndaj këtyre institucioneve, të cilat janë shprehur ndaj këtyre pretendimeve,” deklaroi përfaqësuesja e PS-së, Elena Xhina.

Kryetarja e Komisionit, Ilirjana Nano, tha se vendimmarrja ka kaluar në të gjitha shkallët administrative dhe ankimuese, ndaj edhe certifikimi ishte një çështje në parim.