Përmes një komunikate të përbashkët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave të Kosovës, Lëvizja FOL, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti i Kosovës për Drejtësi, KIPRED, dhe disa organizata joqeveritare kërkojnë nga menaxhmenti i RTK-së që të anulojë vendimin për largimin e redaktorëve nga ekrani televiziv dhe që çdo ndryshim i ardhshëm të bëhet në dialog me redaktorët, duke respektuar kontratat e punës.

“Transmetuesi publik ka një rol të rëndësishëm për informimin e publikut, dhe gazetarët, redaktorët dhe pjesa tjetër e stafit të RTK-së duhet të lejohen të punojnë pa presion politik dhe financiar. Organizatat e shoqërisë civile çmojnë guximin e redaktorëve për të sfiduar vendimet arbitrare dhe cenzuruese dhe u ofrojnë përkrahje në ndjekjen e rrugëve ligjore për të anuluar vendimin që i largon ata nga ekrani televiziv”, theksohet në komunikatë.

Ditë më parë, redaktorët e RTK-së Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj-Nushi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa dhe Valon Bajrami kanë deklaruar se “janë larguar në mënyrë arbitrare dhe antiligjore” nga prezantimi i emisioneve në televizion.

Lidhur me këtë, të mërkurën ka reaguar menaxhmenti i RTK-së. Sipas tij, RTK po kalon një fazë avancimi programor dhe organizativ me qëllim rritjen e cilësisë së përmbajtjes në të gjitha kanalet dhe platformat, me fokus të veçantë në forcimin e kanalit informativ RTK3.

“Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor. Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas menaxhmentit të RTK-së, pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë.

“Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë. Ndonëse RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme, kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës”, theksohet tutje në komunikatë.

Më tej, menaxhmenti i RTK-së thekson se në asnjë rast kjo situatë nuk mund të shfrytëzohet nga punonjësit për të bërë prononcime në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese apo të papajtueshme me etikën dhe standardet profesionale. Menaxhmenti i RTK-së shton se mbetet i vendosur dhe i palëkundur në avancimin e ofertës programore, duke e zhvilluar atë mbi bazën e parimeve universale të transmetuesve publik: paanshmëri, objektivitet, neutralitet dhe depolitizim të plotë.