Deputetja Mimoza Kusari-Lila që si kryetare e Alternativës është në koalicion me Vetëvendosjen ka thënë se nuk mund të deklarohet rreth artikullit ku bashkautor është Dimal Basha meqë thotë se nuk e ka parë atë.
Por, Kusari-Lila thotë se ndjehet keq që, sipas saj, në vazhdimësi po synohet që të mbulohen qëndrimet politike me emblemën e UÇK-së.
“Unë nuk e kam parë raportin të cilit po i referoheni. Personalisht ndihem shumë keq si qytetare e Republikës, ashtu edhe si e zgjedhur e popullit që në vazhdimësi po synohet me një mënyrë ose tjetër të trajtohet e të mbulohen qëndrimet politike me emblemën e UÇK-së. Është e vështirë, është e rëndë që me çdo gjë që nuk pajtohen politikisht partitë, mundohet të gjejnë një vegëz. Për aq kohë sa e njoh kryeparlamentarin Basha, për sa kam bashkëpunuar me të për këto katër vite si drejtuese e Grupit Parlamentar nuk e kam parë asnjë dyshim, asnjë lëkundje ose asnjë perceptim tjetër qoftë për vlerat e luftës qoftë për UÇK-në”, deklaroi Kusari-Lila.
Sipas saj, të gjithë akterët që kanë shtyrë të votohet Gjykata Speciale, tash mundohen ta hedhin fajin diku tjetër.
“E kemi një moment që duhet të ruajmë vlerat e luftës, vlerat e angazhimit popullor, por jo që të mundohemi që në secilën betejë politike ta përfshijmë edhe çështjen për UÇK-në. Mendoj që numri i atyre që e kontestojnë ose mund të flasin në mënyrë jo të denjë për luftën, është minimal në mesin e shqiptarëve dhe shumicës së komuniteteve jo shqiptare në Kosovë. Por, të mundohet që secila betejë politike të bëhet me emrin e UÇK-së e konsideroj si shumë të rëndë”, deklaroi tutje ajo.
Kusari-Lila thotë se LDK-ja dy ditë më parë bëri shkelje kushtetues ekur nuk mori pjesë në votim, duke i dhënë mundësi sipas saj, Listës Serbe që ta qojnë lëndën në Kushtetuese.
“Unë besoj dhe gjithë opinioni publik duhet të bëjë pyetje se si LDK mundet të bëjë shkelje të drejtpërdrejt kushtetuese pas aktgjykimit që i obligon të votojnë, për t’i japë një kauzë ose argumentim Listës Serbe dhe kandidatit të tyre që është i konfirmuar kriminel, Slavko Simiq, e nuk heqin dorë nga ai e t’i japin mundësi ta qojnë lëndën në kushtetuese, kjo është pyetja sot”, deklaroi ajo derisa hynte në vazhdimin e seancës konstituive e cila ka mbetur ende te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.