AGK bashkohet me protestën globale kundër vrasjes së gazetarëve në Gazë
E.Hoti/RTKlive
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar medieve dhe gazetarëve nga e gjithë bota në dënimin e vrasjeve të gazetarëve në Gazë si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite.
Në një aksion të paprecedent global, mbi 200 media në mbarë botën, nga së paku 50 shtete, këtë të hënë kanë protestuar rreth vrasjeve të gazetarëve në Gazë.
“Me këtë ritëm të vrasjes së gazetarëve në Gaza nga ushtria izraelite, shumë shpejt nuk do të mbetet askush për t’iu informuar”, thuhet në reagimin e AGK-së
Për herë të parë në historinë moderne, mediat në mbarë botën kanë koordinuar një protestë globale, inicuar nga Reporterët pa Kufij (RSF), Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), dhe lëvizja Avaaz.
“Gazetat e shtypura kanë printuar ballinat e zeza, televizionet dhe radiot kanë pauzuar transmetimin, në shenjë solidariteti. Aksioni simbolik vjen në kohën që numri i gazetarëve të vrarë që nga nisja e konfliktit më 7 tetor 2023, ka mbërritur në 210. Izraeli vazhdimisht ua ka ndaluar mediave të huaja të hyjnë në Gaza, duke i lënë në vijën e zjarrit gazetarët lokalë palestinezë”, thuhet në reagim.