Gjykata Supreme e Kosovës në një reagim lidhur me deklaratat e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se i njëjti ka përdorur gjuhë të papranueshme karshi Gjykatës Supreme, dhe gjyqtarit të kësaj gjykate, Zenel Leku.

 

“Gjykata Supreme dënon ashpër këtë gjuhë reagimi të paprecedent dhe konsideron se deklaratat e tilla, përveçse janë të papranueshme, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në reagim.

Sipas Gjykatës Supreme, lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.

“Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”, thuhet në reagim.

Tutje theksohet se Gjykata Supreme, vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore.

Në mbledhjen e KQZ-së Krasniqi e quajti vendimin e Gjykatës Supreme një “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë”, duke e cilësuar si të papranueshëm. “I mbuloftë turpi,” tha ai, duke nënvizuar se ata që kanë marrë këtë vendim do të mbajnë “përgjegjësi herët a vonë”.