Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes së KQZ-së, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Supreme, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në autonominë e KQZ-së”.
Sipas Kurteshit, Gjykata Supreme ka “deligjitimuar” anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me kompetencën për të votuar për certifikimin ose kundër certifikimit të subjekteve zgjedhore. Ai theksoi se kjo ka ndodhur në rastin e Listës Serbe, e cila, sipas tij, është legjitimuar përmes ankesës.
“Gjykata Supreme nuk ka hyrë fare në trajtimin e meritave, por vetëm i ka deligjitimuar anëtarët e KQZ-së për shqyrtimin e ankesave”, tha Kurteshi, duke shtuar se vendimi i Gjykatës Supreme ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e certifikimit të subjekteve zgjedhore.
Në lidhje me subjektin e dytë, “Serpska Demokracia”, Kurteshi e ka cilësuar si një fakt publik të njohur se përfaqësuesi i saj, Aleksandar Arsinijeviq, i cili ishte kandidat për kryetar të komunës, është larguar nga organet e Republikës së Kosovës dhe nuk është gjetur në territorin e Kosovës për shkak të hetimeve lidhur me material luftarak dhe arsenalin e armëve që janë gjetur në pronën e tij.
Kurteshi ka theksuar se Arsinijeviq nuk ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj thirrjeve të tyre. “Ai ka dorëzuar listën e kandidatëve, dhe nesër mund të marrë vota dhe të zgjidhet kryetar komune, një person që nuk iu përgjigj institucioneve të Kosovës për një vepër penale”, tha Kurteshi.
Kurse anëtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka akuzuar ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë, duke i konsideruar ata si përpjekës për të “legalizuar” Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Gjatë mbledhjes, ai u shpreh kundër ndaj certifikimit të kësaj liste, duke e quajtur vendimin e Gjykatës Supreme për të certifikuar Listën Serbe si një akt që ka “delegjitimuar” anëtarët e KQZ-së.
Krasniqi e vlerësoi vendimin e Gjykatës Supreme si një presion të papranueshëm dhe një rënie në nivelin e presioneve ndërkombëtare që, sipas tij, po ushtrohen ndaj Kosovës.
Ai theksoi se vendimi i Gjykatës është një ndërhyrje në autonominë e KQZ-së dhe e ka bërë të qartë se nuk mund të priten vendime gjyqësore për çdo individ veç e veç. “Nuk mendoj që shteti duhet me ra në nivelin e këtyre presioneve,” tha Krasniqi.
Për më tepër, ai i akuzoi diplomatët perëndimorë se janë duke mbështetur këtë proces, duke përmendur se ata po mundohen ta “legalizojnë” Listën Serbe për qëllime të ngushta politike dhe për interesa të karrierës politike. “Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç,” shtoi ai.
Krasniqi e quajti vendimin e Gjykatës Supreme një “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë”, duke e cilësuar si të papranueshëm. “I mbuloftë turpi,” tha ai, duke nënvizuar se ata që kanë marrë këtë vendim do të mbajnë “përgjegjësi herët a vonë”.
Krasniqi gjithashtu theksoi se certifikimi i Listës Serbe po shkakton një dëm të madh për procesin zgjedhor të 12 tetorit. “Ky dëm do të reflektojë edhe në proceset zgjedhore në të cilat Lista Serbe pretendon të garojë,” tha ai, duke shtuar se ky veprim ka të ngjarë të ndikojë negativisht në integritetin e zgjedhjeve dhe në besueshmërinë e procesit zgjedhor.