Zyra e kryeministrit njoftin se në fjalën hyrëse, Kurti tha se kjo ngjarje është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit, për një kulturë bujqësore të re në Kosovë dhe për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, e në veçanti të bujqësisë organike.

“Sot po promovojnë një produkt relativisht të ri për Kosovë, por edhe të prodhuar në një sistem të ri alternativë, siç është sistemi i prodhimit organik apo BIO apo ekologjik siç quhet ndryshe”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Aronia në Kosovë filloi të kultivohej në vitin 2011 dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, falë punës së palodhur e të kujdesshme të fermerëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sektori i aronisë dhe ai i bujqësisë organike ka marrë formë të qëndrueshme dhe sot, rreth 90 fermerë kultivojnë 100 hektarë me aroni, shumica sipas standardeve organike.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se brenda një viti prodhimet tona do ta kenë logon dhe standardet organike të Republikës së Kosovës, meqenëse deri tani fermerët tanë janë certifikuar me standarde organike nga Bashkimi Evropian dhe vende tjera.

Ai tha se përkrahja e madhe financiare, si asnjëherë më parë, me mbi 535 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë gjatë mandatit tonë qeverisës, duhet plotësuar me infrastrukturë tjetër të domosdoshme, krahas lehtësirave burokratike.

“Besojmë se këto forma mbështetëse dhe të tjera në vazhdimësi që do të prezantojmë, do t’ia mundësojnë fermerëve tanë të jenë të vlerësuar e të mbrojtur në tregjet tona vendore e të huaja; e po ashtu sofrat, tryezat e shtëpive tona të jenë edhe me prodhime organike me logo të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e qeverisë për fermerët, për bizneset agro-ushqimore dhe për të gjithë ata që po kontribuojnë në këtë sektor, meqë siç tha ai, aronia dhe pemët e imëta nuk janë vetëm kultura bujqësore, ato janë pjesë e së ardhmes sonë ekonomike dhe shembull i asaj se si mund të zhvillohet Kosova në mënyrë të shëndetshme, të qëndrueshme dhe me perspektivë evropiane.

“Është obligim dhe përkushtim i yni si Qeveri që të festojmë ditët e prodhimeve tona. Andaj, si kryeministër dhe si Qeveri, do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve, fermerëve e ndërmarrësve tanë”, tha Kurti.