Tre zyrtarë policorë janë lënduar pasi një automjet i dyshuar për kontrabandë goditi veturën zyrtare të Policisë së Kosovës gjatë një ndjekjeje në rajonin e Kaçanikut.
Ngjarja ka ndodhur kur njësiti i Task Forcës DRK–Lindje, gjatë patrullimit, ka vërejtur një furgon pa targa që dyshohej se po transportonte mall të kontrabanduar. Shoferi, një mashkull kosovar, nuk iu bind urdhrave për ndalim dhe gjatë ikjes ka goditur automjetin policor.
Për pasojë, tre policë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. I dyshuari ka braktisur automjetin dhe është larguar në drejtim të panjohur, duke kaluar kufirin në territorin e Maqedonisë së Veriut, njofton policia.
Automjeti me mallin e kontrabanduar është konfiskuar dhe do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore, thuhet në njoftim.