Basha, i cili u zgjodh kryetar Kuvendi më 26 gusht, e ka njoftuar për këto zhvillime diplomatin britanik, të cilin, sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës,e ka siguruar se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës.

“Kryetari Basha e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës ndaj Mbretërisë së Bashkuar për rolin e saj gjatë luftës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit tonë. Gjatë bisedës, Kryetari Basha e falënderoi diplomatin Hargreaves për vizitën si dhe e njoftoi për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit. Kryetari Basha dhe Ambasadori Hargreaves zhvilluan diskutim të hapur për reformat demokratike të ndërmarra nga vendi ynë, ku Kryetari e siguroi ambasadorin që Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit tonë në familjen evropiane, dhe synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ambasadori britanik ka rikonfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve.

“Ambasadori Hargreaves fillimisht e uroi Kryetarin Basha për detyrën e tij të re në krye të institucionit bartës legjislativ të Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve të vendit të tij me Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ridëshmon lidhjet e thella dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftimin që e ka shpërndarë Kuvendi për takimin e kryetarit Basha me diplomatin britanik.