Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike në tetë komuna, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Podujevë, Suharekë, Fushë Kosovë dhe Vushtrri.
“Rezultatet e auditimeve tregojnë se shumica e komunave të audituara nuk kanë zbatuar plotësisht procedurat ligjore, kanë ndryshuar qëllimin e shfrytëzimit të pronave pa miratim, kanë lejuar shfrytëzim afatgjatë jashtë kufijve ligjor, nuk kanë zbatuar procedura formale për vazhdimin e kontratave, si dhe nuk kanë mbajtur dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk kanë mbikëqyrur në mënyrë të rregullt shfrytëzuesit e pronave”, thotë ZKA-ja.
Tutje, ZKA-ja thonë se, në disa prej tyre auditimi ka evidentuar raste të përdorimit të pronave pa kontrata valide si dhe tejkalim të kushteve ligjore, gjë që sipas Zyrës së Auditorit ka dëmtuar të hyrat publike.
“Po ashtu, raportimi i pamjaftueshëm nga autoritetet ekzekutive ka kufizuar mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen e Kuvendeve Komunale. Konkluzioni i auditimit është se komunat e audituara nuk kanë vepruar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi për dhënien në shfrytëzim të pronës se paluajtshme dhe menaxhimin e kontratave për qiradhënie. Dobësitë në proceset e qiradhënies, mungesa e kontrolleve të brendshme efektive dhe mos mbajtja e regjistrave të sakta kanë ndikuar në zvogëlim të të hyrave komunale, rrezikim të integritetit të pronës publike dhe shkelje të dispozitave ligjore”, thotë tutje ZKA-ja në gjetjet e tyre.
ZKA-ja ka treguar se ka dhënë 54 rekomandime për të përmirësuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e pronës publike.